Seanca për marrjen në pyetje të ish-kryeministrit Sali Berisha është shtyrë.
Mësohet se seanca do të zhvillohet nesër në orën 14:30, pasi mbrojtësit kërkuan kohë që të njihen me aktet.
Kujtojmë se pak më herët, pala mbrojtëse përfaqësuar nga avokati Genc Gjokutaj njoftuan për mediat se kanë kërkuar përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, për shpërdorim detyre.
Ish-kryeministri refuzoi kërkesën e GJKKO-së për t’u paraqitur në Gjykatë për t’u marrë në pyetje në lidhje me hetimet për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.
I pyetur në lidhje me këtë vendim, gjatë një konference me gazetarët, ish kryeministri u shpreh se do të shkojë sa herë të thirret, por vetëm kur gjykatësi të heqë masën e sigurisë ndaj tij, të cilën e cilësoi si antikushtetuese.
“Është ndryshe kjo. Nuk është se unë nuk e pranoj. E deklarova më parë dhe e deklaroj me sinqeritetin më të madh, se unë sa herë të thirrem do të shkojë. Të heq gjykatësi masën antikushtetuese dhe ta provojë a do të shkoj unë apo jo. Por vendosja e masës antikushtetuese pa marrë leje nga parlamenti është përdhosje e kushtetutës dhe ligjeve të vendit.
Se ka një gjykatëse të papërgjegjshme, vasale të mjerë që i lejon vetes një vendim, unë nuk mund ti lejoj vetes të shkel kushtetutën. Që nesër po të sjellin amendamentin e vitit 2012 në parlament, Sali Berisha e voton.
Unë jam për barazi të qytetarëve para ligjit themelor të shtetit. E kam dëshmuar që nuk kam qenë për asnjë diskriminim mes deputetit dhe zgjedhësit. Në këtë mënyrë siç i bën Edi Rama është republika e kanabisit, drogës.“, tha Berisha.