Shtyhet për në datën 27 shkurt seanca për Vangjush Dakon dhe grupin. Deri në këtë datë do të bëhet akt-ekspertimi për faktin e dytë penal.

Gjykata ktheu për hetim aktin e dytë penal kërkon disa ekspertiza të tjera për projektin “Promenadë Bregdetare” si dhe të pyeten disa dëshmitarë.

Seanca do të mbahet në orën 12:00.

Dako, i cili gjendet në masën arrest me burg që prej muajit qershor, akuzohet për “Shpërdorim detyre” në procedurën e dhënies së lejes së ndërtimit të një pallati shumëkatesh dhe shpërdorim të fondeve publike në procedurën e prokurimit për ndërtimin e një shëtitoreje në bregdet.

Hetimi i SPAK konkludon se, “është bërë legalizimi i një objekti shumëkatësh, të ndërtuar pa leje, ndërkohë që dhe vetë ndërtimi nuk është bërë sipas projektit të paraqitur nga ndërtuesi dhe të miratuar nga Bashkia Durrës”.

Vepra e dytë penale për të cilën prokuroria kërkon gjykimin e Dakos ka të bëjë me një procedurë prokurimi, për shërbim konsulence, sigurimin e një projekti të quajtur “Projektim zbatim për Promenadën Bregdetare dhe Plazhin publik nga Bërryli deri në Currila”.