Prej hyrjes së vitit 2024, në Tiranë nisi aplikimi i masave ndëshkimore për kalimtarët të cilët nuk respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.

Një gjobë prej 1000 lekësh të reja u caktua si “dënim” për qytetarët që nuk kalonin në vijat e bardha, apo që nuk respektojnë semaforin. Megjithatë, sërish në shumë zona të kryeqytetit, këto rregulla vazhdojnë të shkellen nga kalimtarët.

Në lidhje me këtë problematikë, Shefi i Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë Besmit Qibini informoi se po përdorën dronët edukues edhe për sensibilizimin e këmbësorëve.

“Prej një viti Policia Rrugore përdor ‘dron edukues’ që është për 3-4 lloj shkeljesh, të cilat e pasqyrojnë në një dimension tjetër kundërvajtjen administrative. Kemi vënë ‘dron edukativ’ për këmbësorët që nuk respektojnë vizat e bardha por sidomos mjetet që nuk respektojnë këmbësorët, kryesisht në rreth-rrotullim, por edhe në vizat e bardha. Ka një progres në këtë drejtim, sidomos në vijat e bardha, të dyanshëm, edhe nga shoferët, edhe nga këmbësorët. Më parë nuk konceptohej që të ndëshkonim këmbësorin, megjithëse ajo parashikohet edhe në kodin rrugor, pavarësisht se ato pika nuk janë zbatuar në të shkuarën”, ka thënë ai.