Një efektive dhe drejtuesi i Policisë Bashkiake Korçë janë sulmuar nga drejtuesi i një mjeti, për shkak të një gjobe që i është vendosur për parkim të gabuar.

Incidenti ka ndodhur dje, në lagjen nr. 9, ndërsa uniformat blu pas ngjarjes proceduan penalisht 66-vjeçarin e dyshuar, me inicialet S.Z., i cili u denoncua nga të dëmtuarit.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin S. Z., 66 vjeç, banues në Korçë, pasi dje, në lagjen nr. 9, Korçë, ka kundërshtuar punonjësen e Policisë Bashkiake Korçë, shtetasen F. T., 22 vjeçe, banuese në Korçë, dhe i ka dëmtuar bllokun e gjobave, në momentin që ajo po i vendoste masë administrative për parkim të gabuar”, bënë me dije burime zyrtare.

Por nuk ka mjaftuar këtu, sepse në momentin që drejtori i Policisë Bashkiake, E.K., ka ndërhyrë për të neutralizuar situatën e tensionuar, gjithashtu është kundërshtuar me forcë nga i dëmtuari.

“Gjithashtu, S. Z. ka kundërshtuar me forcë, shtetasin E. K., 36 vjeç, banues në Korçë, me detyrë drejtor i Policisë Bashkiake Korçë, i cili ka ndërhyrë për të neutralizuar situatën”, sqarohet në njoftim.

Pas nisjes së procedimit penal për kundërshtim me forcë në krye të detyrës, dosja i kaloi prokurorisë vendore për veprime të mëtejshme.