Tiranë, 26 gusht 2014 – Të gjithë ata qytetarë apo subjekte, që do të refuzojnë të paguajnë gjobat e marra për shkelje ndaj ligjit "Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit", nuk do të marrin asnjë shërbim nëpër institucionet shtetërore. Gjithçka konfirmohet nga kryeinspektori i Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, Eltar Deda, i cili, përmes një prononcimi për "Gazeta Shqiptare", shpjegon edhe procedurën që duhet të ndjekin "të gjobiturit" për të shlyer detyrimet.
"Personat apo subjektet që kanë marrë gjobë për shkelje të ligjit të ri të duhanit, mund të drejtohen pranë çdo sporteli bankar dhe të derdhin shumën në llogari të Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor. Ne si institucion kemi një numër llogarie sipas kontratave që kemi me bankat, ndërkohë që vlera monetare derdhet në buxhetin e shtetit", – sqaroi kryeinspektori. Ndërkaq, në rast se personat apo subjektet e penalizuara nuk pranojnë të paguajnë gjobat e vendosura nga inspektorët përkatës, përveç penalizimeve që do të kenë në marrjen e shërbimeve nëpër institucione shtetërore, do të duhet të përballen edhe me përmbaruesit.
"Personat e penalizuar nuk do të mund të kryejnë asnjë veprim në shtet, siç mund të jetë për shembull marrja e një certifikate në gjendjen civile. Në momentin që ai paraqitet, punonjësi i shtetit e njofton lidhur me detyrimin që ka për gjobën. Në rast se pagesa refuzohet sërish, atëherë do të hyjnë përmbaruesit, me qëllim ekzekutimin e gjobës", – u shpreh Deda.
NDRYSHIMET
Për herë të parë, ndryshimet që pësoi ligji "Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit" parashikojnë gjoba edhe për duhanpirësit. Masa e gjobës është 5000 lekë, ndërkohë që objekt i gjobitjes do të jenë edhe administratorët e lokaleve. Sipas ligjit të ri, shkelja e nenit të ri ku përcaktohen mjediset ku ndalohet pirja e duhanit, parashikon gjobitjen e subjekteve të tatueshme me 300 000 lekë, 50 000 lekë gjobë për personin përgjegjës në institucionet publike, si dhe 50 000 lekë për administratorin në banesat me bashkëpronësi të detyrueshme.
Po ashtu, ligji i ri përcakton se pronari ose administratori i mjediseve ku ndalohet duhani është personi përgjegjës për vendosjen në një vend të dukshëm të listës së trupave inspektuese për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit, të shenjave të dukshme që tregojnë se pirja e duhanit në këto mjedise është e ndaluar, si dhe të heqë e të mos lejojë vendosjen e tavllave të duhanit në këto mjedise.
/Gazeta Shqiptare/





