Nga Mila Ballhysa
PD-ja ishte partia e fundit në qarkun e Durrësit që u njoh me drejtuesin politik. Kjo jo për faj të saj, por nga vonesat e liderit Lulzim Basha në vendimmarrjen e partisë.
Caktimi i Palokës duket sikur i gjallëroi demokratët durrsakë, sepse menjëherë nisi hapja dhe shpluhurosja e zyrave elektorale. Më pas nisën takimet me strukturat, me grupseksionet dhe më pas me militantët.
Krahas fotove nga takimet elektorale, disa nga drejtuesit e demokratëve të Durrësit nisën të ishin aktivë edhe në rrjete sociale. Diku një reagim ndaj një shqetësimi qytetar, diku një denoncim për një problematikë të qytetit.
Takimet e tyre me shumë njerëz i ranë në sy edhe zv/kryeministrit Erion Braçe, që në një postim të tij kritikonte grumbullimet masive në kohën e pandemisë dhe si foto kishte përzgjedhur njërën nga takimet e kryedemokratit durrsak Ferdinand Xhaferraj dhe tjetrën nga trajnimet e Ermal Mamaqit.
Lakimi nga ana e Braçes nuk i frenoi demokratët, madje vazhduan me publikimin e fotove me pjesëmarrje edhe më të gjerë, por këtë herë jo në selinë e partisë, por në lokale të qytetit apo njësive administrative.
E gjithë kjo vijoi mirë e bukur deri diku aty afër fundjavës, kohë kur policia e Durrësit gjobiti fillimisht kreun e shoqatës “Durrësi autokton” dhe më pas dy funksionarë të PD-së dhe një pronar lokali pranë të djathtës. “Gjobitja” shënoi pikën e kthesës për demokratët.
Asnjë foto takimesh elektorale për mos t’i dhënë mundësi policisë të hapte bllokun e gjobave. Asnjë reagim ndaj projekteve 3D të portit turistik dhe lagjes së re në Spitallë që kryeministri postoi gjatë fundjavës në rrjetet e tija sociale.
Një reagim i drejtuesit politik Edi Paloka dhe një i kreut të departamenteve Ivo Jorgoni duken shumë pak për një parti që pretendohet të ketë ndezur motorët e fushatës dhe synon 8 deputetë në qark. Veç shpërndarjes së postimeve të Bashës, dhe ndonjë ngushëllimi për një mik, PD-ja duket se u “fik” pa u ndezur ende.
Mund të ketë qenë edhe atmosfera e Shën Valentinit, që i ka shtyrë demokratët durrsakë të mos reagojnë ndaj projekteve 3D të kryeministrit për transformimin e Durrësit.
Ndërsa nxitojnë shpeshherë të kritikojnë punën e bashkisë, harrojnë që rivalin direkt në këto zgjedhje kanë Ramën dhe pushtetin qendror. Kanë investimet e nisura e të pa bitisura në qytetin bregdetar, kanë Rindërtimin, kanë “Rilindjen” që i bëri 4 vite më parë të regjistronin rezultatin më të dobët historik.
Nëse një gjobë u kyç gojën, çfarë do t’u bëjë makineria elektorale e PS-së ditën e votimit?
Shprehjen “çdo popull meriton qeverisjen që ka” do ta perifrazoja “populli nuk meriton opozitën që ka”.