“I janë turrur biznesit durrsak duke i thekur në gjoba sikur ata të jenë fajtorët e shpërndarjes së Covid-19”.
Kështu shkruan në Facebook, kreu i departamentit për Pushtetin Vendor në PD-në e Durrësit, Petro Vokopola lidhur me kontrollet e ushtruara nga Task-Forca një ditë më parë.
Sipas Vokopolës, burimi kryesor për infektimin e popullatës janë po vetë ata duke filluar nga spitalet, bashkitë, Kadastrat dhe vetë Kryministria
“I jane turrur biznesit durresak duke i thekur në gjoba sikur ata të jenë fajtorët e shpërndarjes së Covidit. Ndërkohë burimi kryesor për infektimin e popullatës janë po vetë ata duke filluar nga Spitalet, Bashkitë, Kadastrat dhe vetë Kryministria. Shtet zdrroms!!”, shkruan ai.
Një ditë më parë, specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Durrës, në bashkëpunim me Inspektoratin e Shëndetësisë, Inspektoratin i Punës dhe AKU, të mbështetura nga Patrullat e Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Durrës, ushtruan kontrolle në të gjithë qarkun, për respektimin e protokolleve të sigurisë, për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Si rezultat i kontrolleve u evidentuan dhe ndëshkuan administrativisht 6 subjekte, si dhe u pezullua një tjetër. Tre subjekte në Plazh dhe një parukeri në lagjen nr.1 u gjobitën me nga 1 milionë lekë të vjetra.
Ndërsa një bar restorant në Vollga dhe një yogurteri u gjobitën me masë administrative 10 milionë lekë të vjetra. Gjatë kontrolleve u bllokua subjekti bilardo, i cili nuk dispononte licencën përkatëse për ushtrimin e këtij aktiviteti.





