*Ministri Tahiri: Pronari i një Fiati jo me gjobë sa një Mercedesi
Duke nisur nga janari i vitit 2016, do të ketë disa ndryshime të tjera për gjobat ndaj drejtuesve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor. Kështu, përveç projektit të gjobave këshilluese, Ministria e Brendshme ka dhe një plan tjetër për drejtuesit që nuk vendosin rripin e sigurisë, e sidomos për ata drejtues që disponojnë një makinë luksoze.
Kjo për faktin, se persona të tillë që kanë një automjet luksi në pjesën më të madhe të rasteve nuk e vendosin rripin dhe preferojnë të paguajnë gjobën, duke qenë se për këtë shkelje, gjoba ka një vlerë të vogël. Gazeta ‘Panorama’ shkruan se gjobat e reja do të jenë në bazë të makinës që disponon. Pra, kush zotëron një makinë të shtrenjtë, të njëjtën gjobë do ta paguajë më shtrenjtë se një drejtues që ka automjet jo luksoz. Kjo nismë u bë e ditur nga vetë ministri Tahiri disa ditë më parë kur pati edhe takimin me gazetarët, dhe ky projekt do të quhet “gjoba progresive”.
“Një Fiat Punto nuk mund të ndëshkohet me gjobë, vlera e së cilës të jetë e njëjtë me atë të një Mercedesi”, tha Tahiri. Sipas tij, një person që posedon një makinë të shtrenjtë i ka mundësitë për të riparuar ndonjë defekt, si mosfunksionimi i dritave, ndryshe nga ai që ka në pronësi një makinë që nuk kushton shumë dhe që defektet i ka më të shpeshta.
Për të realizuar këtë projekt, të gjitha komisariatet në vend do të jenë të pajisura me një databazë të veçantë për automjetet me shkelje të përsëritura. Veç targës, kjo databazë do të ketë edhe markën e makinës, vitin e prodhimit dhe shkeljet që ka kryer.





