Çdo punonjës shëndetësie që promovon përdorimin e qumështit artificial për foshnjat dhe fëmijët do të gjobitet me 50 mijë lekë, ndërsa në rast përsëritjeje, me masën ‘largim nga puna’. Deri më tani për këtë shkelje këta punonjës, në shtet apo në privat gjobiteshin me një vlerë 10-fish më të ulët, ndërkohë që rritja e masave administrative parashikohen në ligjin e “Për nxitjen e dhe mbrojtjen e të ushqyerit me gji”, i cili ditën e djeshme është botuar në Fletoren Zyrtare, duke i hapur rrugën hyrjes në fuqi pas 15 ditësh.

Sipas tij, mjekët do të marrin këto sanksione edhe në rastin kur pranojnë ose shpërndajnë mostra të këtyre produkteve si dhe kur pranojnë shpërblime, dhurata, kontribute nga një prodhues, shpërndarës ose çdo person tjetër i ngarkuar prej tyre.

Ndërkaq, ligji parashikon gjoba më të larta edhe për një sërë shkeljesh të tjera, që lidhen kryesisht me promovimin apo reklamimin e qumështit artificial. Sipas një raporti të Qendrës për Mirërritjen e Fëmijëve, UNICEF dhe Ministrisë së Shëndetësisë, kompanitë përpiqen të depërtojnë nëpërmjet personelit shëndetësor, i cili përdoret si kanal komunikimi me nënat, për shpërndarjen e kampioneve falas dhe nxitjen e shitjeve të formulave.

Gazeta Shqiptare