Pesë gjoba, një prej të cilave 10 milionë lekë të vjetër dhe katër të tjera nga 1 milion lekë të vjetër janë vendosur deri më tani gjatë aksionit të Task-Forcës në Durrës.

“DurrësLajm” mëson se gjatë inspektimeve dhe kontrolleve të kryera ditën e sotme është gjobitur me 1 milionë lekë të rinj një hotel në zonën e Vollgës, ndërsa janë gjobitur me 100 mijë lekë të rinj katër subjekte të tjera: një lokal në bulevard; një subjekt që pjek pula; një parukeri në Vollga dhe një pastiçeri në zonën e Plazhit.

Inspektorati Shtetëror Shëndetësor në Durrës vazhdon kontrollet si pjesë e Task-Forcës në bashkëpunim me AKU-në dhe Drejtorinë Tatimore për respektimin dhe zbatimin e masave të marra nga ana e subjekteve si dhe institucioneve zyrtare kundër Covid-19.

Subjektet duhet të zbatojnë protokollet duke pajisur punonjësit me maska, doreza, higjenizues të duarve në hyrje dhe në brendësi të subjektit. Të respektojnë distancën 2 metra ndërmjet punonjësve dhe punonjës-klient. Të vendosin shenjat e pritjes në radhë. Të kenë të afishuara vërtetimin si biznes të hapur. Gjithashtu të afishuara postera për shenjat e Covid dhe për uljen e riskut etj.