Në minaren e xhamisë së fshatit Geraj, më 28 nëntor 2014 është ngritur flamuri shqiptar. Imami i xhamisë, Nexhat Jashari, ka marrë një letër nga gjykata në Preshevë. Gjoba është rreth 300 euro për shkelje të ligjit, pasi akuzohet për “përdorim të simboleve të palejuara”. Hoxha i fshatit Geraj, për shkak të moshës, nuk mund të ngjitet sipër në minare.
“Ne nuk mund ta ruajmë 24 orë xhaminë se kush hyn e kush del. Natën ka hyrë dikush, por s’e dimë se kush ka qenë. Jemi duke u konsultuar mes nesh se kush mundet të ketë qenë, por ende nuk dimë asgjë”, tha imami.
Pas kësaj ngjarjeje, xhamia konsiderohet se ka kryer “vepër të jashtëligjshme” dhe se gjoba është e pakthyeshme.
Problemi i simboleve në Luginë të Preshevës është i vjetër, pasi ndalohet me ligj përdorimi i çdo simboli që nuk është i shtetit serb e që i përket një tjetër shteti.