30 janar 2015 –  Zhoze Murinjo vazhdon të gjobitet për deklaratat e tij. Federata Angleze e Futbollit e ka ndëshkuar trajnerin e Çelsit me 30 mijë euro, për ato që tha pas ndeshjes me Sauthemptonin në muajin dhjetor. Portugezi pati thënë se kishte një fushatë kundër ekipit të tij nga ana e medias dhe nga ana e arbitrave. Madje akuzoi se kishte të bënte me një komplot, pasi klubi që drejton po dëmtohej padrejtësisht nga rrethana të jashtme. Në arsyetimin e vendimit për gjobën 30 mijë euro thuhej: “Përdor fjalë të papërshtatshme, të cilat prishin futbollin. Akuza të pavërtetuara dhe që nuk i vijnë aspak në ndihmë sportit”. Në fakt, kjo nuk është hera e parë që Mou ndëshkohet për deklaratat e tij. Në ndeshjen e fundit kundër Liverpulit, ai tha:

“Nuk po e them mendimin tim këtë herë, pasi do të më ndëshkojë federata. E di që shpeshherë nuk u pëlqen ajo që them. Këtë herë po rezervohem, duke qenë se e fituam ndeshjen”. Në pjesën më të madhe të rasteve, tekniku i Çelsit akuzon arbitrat dhe favorizimet që ata mund t’u bëjnë rivalëve të tij.