SHBA, 12 maj 2014 – Gazeta prestigjoze amerikane “Wall Street Journal” njofton se firma konsultuese amerikane “Patton & Boggs” do t’i paguajë firmës së famshme amerikane të naftës “Chevron” fiks 15 milion dollarë, sepse nuk ka pasur rezultatet e premtuara në një kontratë të firmosur ndërmjet dy firmave. “Patton & Boggs” ka shkelur kontratën me “Chevron” për një përplasje gjyqësore për dëmtim ambjenti nga “Chevron” në Ekuador, që në rast humbje të gjyqit do i kushtojë “Chevron-it ” 9,5 miliard dollarë dëmshpërblim për ndotje ambjenti.
Meqenëse “Patton & Boggs” ra dakord ta paguajë shumën prej 15 milion dollarësh në favor të “Chevron”, atëhere edhe “Chevron” tërhoqi padinë kundër “Patton & Boggs” me akuza të tilla si mashtrim apo fshehje e sjelljve të këqija etj.
Kujtojmë, që “Patton & Boggs” ishte firma amerikane, që fitoi kontrata të majme në kohën e Berishës si firmë konsulente për privatizimin e dy shoqërive publike në fushën e naftës: Armo dhe Albpetrol. Të dy këto privatizime rezultojnë të dështuara, problematike, me aspekte korruptuese, me padi të vazhdueshme në gjykata si psh. rasti emblematik i biznesmenit Rezart Taçit.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





