Kreu i Partisë Demokratike së degës Durrës, Ferdinand Xhaferaj ka reaguar sot në lidhje me procedimin penal të nisur për Lulzim Bashën nga ana e Policisë së Durrësit dhe ndëshkimin e disa figurave të njohura të së djathtës në Durrës dhe biznesmenëve.

“Dua t’i bëj thirrje qeverisë të adoptojë menjëherë masat e propozuara nga Partia Demokratike për lehtësimin e situatës për bizneset.

Me keqardhje, jam sot përpara jush, për të vërtetuar se prioriteti i qeverisë, dukshëm, nuk është mbështetja për qytetarët dhe bizneset, por kufizimi i opozitës. Ne si opozitë, jemi mësuar me hakmarrjet politike të Ramës, por nuk mund të heshtim kur ai përpiqet edhe të rrënojë edhe të ndëshkojë bizneset e ndershme të Durrësit.

Një polici e urdhëruar është dëshmi se qeveria Rama është një qeveri në ikje. Çoroditja dhe paniku i regjimit dhe si pasojë edhe i krerëve të policisë që i shërbejnë, duken qartë edhe nga vetë masa e marrë. Sa qesharake aq edhe e turpshme: heqje patente për këmbësorë”, u shpreh Xhaferaj në një konferencë për shtyp nga selia blu e qytetit bregdetar.

Teksa vuajmë akoma pasojat e tërmetit të 26 nëntorit, pandemia vetëm sa ka thelluar krizën ekonomike. Por, mbi të gjitha, pandemia vazhdon e vërteton paaftësinë dhe mungesën e dëshirës së qeverisë për t’ju përgjigjur problemeve të qytetarëve. Prioritetet e qeverisë janë interesat e oligarkëve dhe kufizimi i opozitës. Ju garantoj se opozita dhe e vërteta nuk mund të heshtet me gjoba”, tha Xhaferaj ndër të tjera.

Ditën e djeshme, policia e Durrësit njoftoi se kishte nisur procedimin administrativ, pasi aktiviteti partiak i demokratëve në Durrës ishte zhvilluar në ambient të mbyllur, në një lokal.

Për këtë, policia ka gjobitur me 1 milionë lekë pronarin e lokalit, shtetasin A.H. Ndërkohë ka ndëshkuar me gjobë dhe tërheqje patente pjesëmarrësit në takim, kreun e PD-së, Lulzim Basha, kreun e degës, Ferdinand Xhaferaj, si dhe një numër të konsiderueshëm figurash të njohura të së djathtës në Durrës dhe biznesmenë; respektivisht shtetasit A. M.,  R. G.,  A. B., V. N., E. H., A.B., D. B., J.M. dhe A.H.