Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj prezantoi sot në seancën plenaretnë Kuvendit projektligjin për regjistrimin e organizatave jo fitimprurëse në Shqipëri (OJF).
Ministrja njoftoi se do të shmangen burokracitë veçanërisht për ata që jetojnë jashtë Tirane dhe detyroheshin të vinin në kryeqytet.
Gjonaj u tha deputetëve në seancën plenare se edhe “për shkak edhe të detyrimeve që burojnë nga “MONEYVAL”, ne rrisim transparencën dhe heqim një rrezik që ky sektor ka për pastrimin e parave”
Sipas Gjonaj në përputhje të plotë me standartet më të mira ndërkombëtare, projektligji vendos detyrime për regjistrim dhe për raportim të të dhënave që janë të nevojshme për transparencën e këtij sektori.
Po ashtu u nënvizua se projektligji ndryshon rrënjësisht sistemin e regjistrimit.
“Ne krijojmë një sistem regjistrimi të bazuar në komunikimin dhe shqyrtimin elektronik të kërkesave për regjistrim. Pra, edhe dikush që është nga një rreth i largët, mund të paraqesë aplikimin elektronik për regjistrimin e organizatës në gjykatën e Tiranës dhe e përfundon procedurën pa ardhur asnjë ditë në Tiranë. Kjo shkurton kohën e regjistrimit dhe koston që lidhet me këtë proces”-tha ministrja.





