Burime të klubit bëjnë me dije për gazetën se Teuta do të ndërhyjë në merkato dhe vëmendjen kryesore do e kenë sulmi dhe mbrojtja. Teksa skuadra vijon pushimet, drejtuesit po lëvizin sa munden për të përforcuar organikën.

Megjithatë, afrimeve pritet t’u paraprijë edhe një largim tjetër. Pepi Gjorgiev, i ardhur me shumë bujë në verë, nuk e ka bindur stafin e Teutës dhe pritet të ndajë rrugët me klubin, pas pak muajsh si “durrsak”.

Drejtuesit duan të ndahen me marrëveshje me lojtarin, i cili ka shënuar 4 gola në këtë sezon në Kupë dhe Superiore, por duket se nuk mjaftojnë.

Teuta do të shohë mundësitë që do t’i jepen për të siguruar shërbimet e një sulmuesi cilësor, që të jetë i aftë të mbajë peshën e repartit të tij.Sigurisht, nuk do të jetë e lehtë sepse janari nuk ofron shumë mundësi, por kjo dritare transferimesh po ndiqet me shumë kujdes nga klubi, që shikon në tregun vendës dhe atë të huaj, me qëllim spikatjen e lojtarëve të duhur.