Angli, 10 qershor 2014 – Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha, ndodhet për një vizitë zyrtare pune në Mbretërinë e Bashkuar. Gjatë takimit me Ministrin e Shtetit për Çështjet Evropiane, z. David Lidington, Ministrja Gjosha e informoi mbi masat e marra nga qeveria shqiptare sidomos në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe reformën në drejtësi.
“Vendimi pozitiv i Këshillit të Ministrave të BE-së, do të ishte një sinjal i rëndësishëm motivues për Shqipërinë, për të ecur përpara në rrugën e saj drejt BE-së, duke ndikuar në krijimin e një klime me pozitive për vendin”,u shpreh Ministrja Gjosha.
Nga ana e tij, Lidington u shpreh se Anglia mbështet politikën e zgjerimit në BE, dhe aspiratën e Shqipërisë për të qenë pjesë e Unionit, por kjo duhet të jetë e bazuar në evidence të arritjeve konkrete pra në bazë të meritave të një vendi.
“Jemi duke studiuar me vëmendje progres-raportin e Komisionit Evropian dhe do të marrim një vendim pasi të nxjerrim përfundimet tona”,– u shpreh Ministri i Shtetit për Çështjet Evropiane z. Lidington.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





