Tiranë, 18 qershor 2014  – Ministria e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha, priti të mërkurën në një takim delegacionin e Komitetit për çështje të Bashkimit Evropian të Parlamentit irlandez, i kryesuar nga Dominic Hannigan.

Ministrja Gjosha, pasi vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy shteteve, i shprehu delegacionit falënderime për mbështetjen e vazhdueshme që i është dhënë Shqipërisë nga ky shtet. Ministrja informoi delegacionin mbi punën e bërë deri tani nga qeveria në lidhje me 5 prioritetet e lëna nga BE. 

Po ashtu, Gjosha duke u ndalur tek progres-raporti i publikuar nga Komisioni Evropian, theksoi se rekomandimi është i qartë dhe nuk lë vend për interpretime në raport me Shqipërinë. “Marrja e një vendimi pozitiv nga vendet anëtare, do të ishte një sinjal mjaft pozitiv për qeverinë dhe për popullin shqiptar, që të vazhdojë në rrugën e reformave. Ne duam të mbajmë lart besimin që qytetarët tanë kanë tek projekti evropian, i cili është modeli më i mirë i civilizimit. Jemi të vetëdijshëm që kemi shumë punë për të bërë, por një pjesë e problemeve të vendit tonë, janë të njëjta edhe në vendet e tjera të Bashkimit Evropian”, -u shpreh Gjosha. 

Kreu i delegacionit irlandez, Hannigan, u shpreh se Irlanda mbështet politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian.“Ne mbështesim kandidimin e Shqipërisë për në Bashkimin Evropian, zgjerimin e BE-së, si mundësia më e mirë për zhvillimin social dhe ekonomik të vendeve të Evropës. Irlanda ka firmosur deklaratën duke bërë publik qëndrimin e saj për Shqipërinë”,- tha Hannigan. 

Hannigan, u interesua për mbështetjen e publikut shqiptar ndaj proçesit të integrimit, duke nënvizuar se është me shumë rëndësi njohja e përgjegjësive, përfitimeve dhe detyrimeve që rrjedhin nga ky proces. 

Ministrja e Integrimit Evropian, Gjosha, i bëri me dije delegacionit irlandez se prej muajsh ka nisur një fushatë informuese tek të rinjtë e cila do të vijojë në të gjithë vendin. 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/