DURRËS, 20 maj 2014 – Federata e gjuetarëve të Durrësit premton të ndihmojë respektimin e moratoriumit për ndalimin e gjuetisë për dy vjet.
Në Ministrinë e Mjedisit, në prani të Ministrit Lefter Koka u mbajt më 19 maj 2014 një takim me përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Federatave të Gjuetarëve, OJF-ve, Fakultetit të Shkencave të Natyrës e asaj të Shkencave Pyjore si dhe përfaqësues nga subjektet e gjuetisë turistike, për të trajtuar çështje në funksion të moratoriumit dhe të ligjit për gjuetinë.
“Ne dëshirojmë të ndajmë sot e në vijim kontributet dhe përpjekjet për ta bërë sa më efektive punën tonë dhe sa më të afërt ditën kur të gjithë ne të shohim një gjendje krejt tjetër – të përmirësuar e të shëndetshme të faunës së egër e të biodiversitetit në të gjithë hapësirën e vendit tonë”, – tha Ministri Koka.
Gjatë takimit u diskutua për Inventarizimin e plotë të llojeve të faunës së Egër si dhe hartimin e Programit Kombëtar të Zhvillimit të gjuetisë.
Pjesëmarrësit u njohën me masat e marra deri tani nga Ministria e Mjedisit, ku përveç inventarizimit dhe Programit Kombëtar të Zhvillimit të Gjuetisë u vu theksi tek bashkëpunimet me institucionet e linjës.
Pjesëmarrësit në këtë takim ranë dakord që të japin kontributin e tyre në hartimin e masave dhe programeve të kërkuara me qëllim zbatimin e moratoriumit.
Info
Më 7 maj 2014, Këshilli i Ministrave vendosi krijimin e qendrave të shpëtimit, që shërbejnë për mbajtjen, mbrojtjen, kurimin dhe riaftësimin e individëve të faunës së egër të kapur, të sekuestruar, të konfiskuar, të dëmtuar ose të braktisur, të paaftë për të mbijetuar në gjendje të lirë.
Në rastet kur këta individë, pas trajtimit dhe riaftësimit në këto qendra, janë të aftë të mbijetojnë në kushtet e jetës së egër, lëshohen në gjendje të lirë.
Krijimi i qendrave të shpëtimit realizohet nga persona fizikë ose juridikë, apo organizata jofitimprurëse, vendase ose të huaja, që merren me mbrojtjen e faunës së egër, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe aktet ndërkombëtare ku Republika e Shqipërisë është palë.
Qendrat e shpëtimit krijohen brenda fondit pyjor e kullosor publik.
Qendrat e shpëtimit përjashtohen nga pagesa e tarifës së përdorimit të fondit pyjor dhe kullosor publik.
Për të siguruar qetësinë në funksionimin e qendrës së shpëtimit, pranë apo përreth saj, nuk lejohet ngritja dhe funksionimi i asnjë lokali shërbimi apo biznesi të çfarëdo lloji.
Kapja, sekuestrimi, konfiskimi dhe sjellja në qendër të shpëtimit të individëve të faunës së egër që do të trajtohen në të, realizohet nga inspektorati përgjegjës për mjedisin dhe në përputhje me kërkesat e konventave të fushës së natyrës. Për rastin e llojeve të faunës së egër të listuara në anekset e konventës së CITES-së, për transportin e llojeve zbatohen rregullat e Shoqërisë Ndërkombëtare të Transportit Ajror (IATA), të pranuara nga shtetet palë të konventës.
Qendra regjistrohet sipas përcaktimeve të legjislacionit veterinar, ndërsa individët e faunës së egër që mbahen në të matrikullohen në mënyrë të posaçme, në varësi të llojit, dhe regjistrohen në sistemin kombëtar të identifikimit dhe regjistrimit të kafshëve. Individët e faunës së egër që mbahen në qendër janë pasuri kombëtare.
Kërkuesi, pas miratimit të kërkesës për krijimin e qendrës, është përgjegjës për shëndetin, sigurinë, përkujdesjen dhe mirëqenien e individëve të faunës së egër, që do të trajtohen në këtë qendër shpëtimi, si dhe njofton shërbimin veterinar rajonal në rast sëmundjeje në kafshë.
Personi fizik, juridik apo organizata jofitimprurëse, vendase apo e huaj, që ka krijuar qendrën, merr masa ruajtjeje dhe është përgjegjës/e në rast se individë të faunës së egër dalin nga qendra e shpëtimit dhe përbëjnë kërcënim për sigurinë e jetës e të shëndetit të njerëzve jashtë saj.
Qendra e shpëtimit të jetë e hapur për vizitorët, në përputhje me kushtet e sigurisë dhe funksionimit të saj.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





