Volodymyr Kindrat dhe e shoqja e tij, Ljubova, nuk do ta harrojnë kurrë atë gumëzhimën kërcënuese të dronëve më 7 shkurt të këtij viti.
Sapo kishin nisur të mësoheshin me të, kur dy dronë të mbushur me lëndë shpërthyese papritmas goditën shtëpinë e tyre.
“Pashë se si dronët goditën garazhin,” tregon Volodymyr Kindrat. Porta e garazhit dhe makina e familjes u dëmtuan rëndë nga sulmi. “Ishte sikur ushtarët po luanin ndonjë lojë kompjuterike,” përshkruan Ljubova sulmin tronditës. “Por në jetën reale,” ndërhyn Volodymyri. “Dhe mbi njerëz të gjallë,” shton e shoqja.
Sulmet me dronë ndaj civilëve
Pas kësaj tronditjeje, familja Kindrat, së bashku me vajzën e tyre të rritur, u larguan nga Berislavi, vendlindja e tyre në jug të Ukrainës.
Prej shtatorit 2023 e deri në korrik 2024, Berislavi është sulmuar nga mbi 120 sulme me dronë rusë. Në këto sulme janë vrarë 16 persona dhe janë plagosur mbi 130 të tjerë – të gjithë civilë, sipas raportimeve.
Ekipi hulumtues i DW-së ka analizuar prej disa muajsh një sërë raportimesh dhe të dhënash nga burime të hapura mbi sulmet me dronë. Atij i erdhën në ndihmë edhe dy organizata joqeveritare: projekti “Eyes on Russia” i “Centre for Information Resilience” dhe arkivi ukrainas “Mnemonic”.
Në qytet, ekipi nuk mundi të kryente hulumtime. Për shkak të kërcënimit të vazhdueshëm, policia ukrainase e ka bllokuar hyrjen në qytet. Megjithatë, nga analiza e të dhënave dhe intervistat me dëshmitarë dhe ekspertë përforcohet dyshimi se ushtarët rusë i kanë përdorur sistematikisht dronët kundër civilëve.
Berislavi ndodhet në bregun verior të lumit Dnjepër, afër qytetit Kherson. Menjëherë pas pushtimit të madh të Ukrainës në shkurt 2022, trupat ruse pushtuan qytetin Kherson dhe rrethinat. Në vjeshtën e vitit 2022, ushtria ukrainase e rimori kontrollin e kësaj zone. Trupat ruse u tërhoqën në anën tjetër të lumit.
Që atëherë, forcat ruse të vendosura në anën tjetër të lumit bombardojnë intensivisht Berislavin me artileri, bomba të telekomanduara dhe dronë. Pjesa më e madhe e qytetit është shkatërruar dhe nga 11 000 banorët e dikurshëm, tani kanë mbetur thuajse vetëm të moshuarit.
Dronët më të përdorur janë të tipit FPV (First Person View) të ngarkuar me lëndë shpërthyese. Ky lloj droni fillimisht është përdorur vetëm nga pilotë amatorë dhe është i pajisur me një kamerë.
Në vitin 2023 është rritur ndjeshëm numri i dronëve të tillë të përdorur në front. “Mendohet të ketë mbi dhjetëra mijëra dronë të tipit FPV që veprojnë në qiellin e Ukrainës,” shpjegon Samuel Bendett, anëtar i programit të studimeve mbi Rusinë në Center for Naval Analyses, një institut kërkimor amerikan.
Piloti i dronit ose mund ta hedhë eksplozivin, ose ta drejtojë dronin me gjithë ngarkesën e tij drejt një caku, ku ai shpërthen.
Ndjekur nga dronët
Edhe Jevheni ka qenë në shënjestër të një droni rus. Ai nuk dëshiron ta publikojë mbiemrin e tij. Ndodhi në janar, kur punonjësi i organizatës humanitare World Central Kitchen solli ushqime në Berislav. Gjatë kthimit nga qyteti, makina e tij u ndoq nga një dron. “Nuk e di sa gjatë më ndoqi droni,” tregon ai për DW, shumë i lehtësuar që arriti të shpëtojë. “Kisha shumë frikë.”
Një aksion tjetër i ngjashëm përfundoi me viktima. Edhe ata “u ndoqën nga dronët,” siç raportoi më vonë njëri nga të mbijetuarit. Automjetet e tyre, të cilat ishin të shënuara si konvojë ndihmash, u sulmuan. Disa dëshmitarë i thanë DW se bëheshin goditje të dyfishta, të ashtuquajtura “double taps”, ku pas goditjeve të para, viheshin në shënjestër personat që përpiqeshin të shpëtonin viktimat.
Sulmet nga bregu tjetër i Dnjeprit
Nuk është e mundur të përcaktohet me siguri se kush është përgjegjës për sulmet me dronë. Megjithatë, bazuar në distancën mesatare të fluturimit dhe trajektoren e mundshme të dronëve, DW arriti të lokalizojë zonat e mundshme nga ku janë nisur sulmet: Ato janë zonat përreth qyteteve Kakhovka dhe Nova Kakhovka, të cilat ndodhen përballë Berislavit në anën tjetër të Dnjeprit.
Aty janë të stacionuara disa njësi ruse që përdorin dronë. Ndër to janë Brigada e 10-të Speciale, Brigada e 205-të e Këmbësorisë dhe Batalioni Vullnetar BARS-33, i emërtuar sipas heroit sovjetik të Luftës së Dytë Botërore, Vasili Margelov.
Ka shumë pak të dhëna të hapura rreth operacioneve të Brigadës së 10-të Speciale, e cila i përket shërbimit të inteligjencës ushtarake ruse, GRU. Por janë bërë të njohura disa detaje nga një sulm me dron: Prokuroria në Kherson nisi hetimet në qershorin e kaluar kundër një ushtari të kësaj brigade, pasi kishte regjistruar një bisedë me eprorin e tij. Ai akuzohet për sulm të qëllimshëm me dron ndaj dy civilëve në Berislav, në maj 2023.
Brigada e 205-të e Këmbësorisë operon prej kohësh në rajonin e Kakhovkës. Në Telegram, ajo ka pranuar hapur disa sulme me dron në Berislav, shumica e të cilave janë drejtuar ndaj automjeteve. Këto automjete “janë të gjitha të shkatërruara,” ka shkruar një pilot droni në kanalin e Telegramit. Ai pretendon se në zonë nuk ka civilë. Ky koment e dëmton vetë pilotin, thotë juristi Wayne Jordash. Ushtari nuk përpiqet të shmangë viktimat civile. De facto, “ai vendos që çdo individ është një objektiv legjitim ushtarak.”
Batalioni Vullnetar BARS-33 vepron në rajonin e Kakhovkës dhe Nova Kakhovkës që nga pranvera e vitit 2023. Njësia duket se është e fokusuar sidomos te luftimi me dronë. Në njoftimet për rekrutime, ajo kërkon kryesisht pilotë dronësh.
Batalioni u themelua me iniciativën e Vladimir Saldo, guvernatorit të autoriteteve ruse të okupimit në rajonin Kherson. Në tetor 2023, ai njoftoi se BARS-33 kishte testuar një dron të ri të quajtur “Weles”.
Në Telegram janë publikuar video që tregojnë sulme me dron të kryera nga BARS-33 në rajonin e Berislavit, përfshirë edhe me dronin e ri “Weles”.
Sanksione ndaj prodhuesit të dronit
Droni “Weles” prodhohet nga kompania Aero-Hit në qytetin Khabarovsk, në lindje të Rusisë. Kompania është e lidhur ngushtë me politikanin rus Konstantin Basjuk, një mbështetës i fuqishëm i Batalionit Vullnetar BARS-33. Basjuk përfaqëson rajonin Kherson, i aneksuar në mënyrë të paligjshme nga Ukraina, në Këshillin e Federatës Ruse në Moskë dhe promovon rregullisht Batalionin Vullnetar. Si Saldo ashtu edhe Basjuk janë nën sanksione perëndimore.
Në qershor, Departamenti i Thesarit të SHBA-së vendosi sanksione edhe ndaj kompanisë Aero-Hit, me arsyetimin se “dronët Weles janë përdorur nga forcat ruse të stacionuara në Kherson kundër objektivave ukrainase.”
Këto sanksione nuk do të ndikojnë në prodhimin, tha drejtori i kompanisë Viktor Yatsenko në një intervistë, duke u krenuar me “400 sulme të suksesshme luftarake” të dronit të ri. “Konsumatori kryesor” është Batalioni Vullnetar BARS-33. I ballafaquar me rezultatet e këtij hetimi, Aero-Hit deklaroi se është “një kompani jo-ushtarake dhe nuk bashkëpunon me Ministrinë e Mbrojtjes.”
Asnjë përgjigje
Nuk është e mundur të përcaktohet me siguri se kush ka urdhëruar dhe kryer sulmet me dron ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile në Berislav dhe zonat përreth. Por, sipas hulumtimeve tona, ka shumë gjasa që përgjegjëse për sulmet të jenë tre njësitë e përmendura.
DW ka kërkuar komente nga Ministria e Mbrojtjes së Rusisë, politikanët Vladimir Saldo dhe Konstantin Basjuk, Batalioni Vullnetar BARS-33 dhe administratorët e dy kanaleve të lidhura në Telegram për gjetjet e këtij hulumtimi. Asnjë prej tyre nuk ka kthyer përgjigje.
Ky artikull u publikua për herë të parë në gjermanisht./ DW