Ueb-faqja e njohur ranker.com ka publikuar një listë me gjuhët më të vështira për t’u mësuar. Vendet e para të listës i zënë gjuhët nga vendet e Lindjes së Largët, por edhe sllovenishtja dhe disa gjuhë të Ballkanit. Listën e kryeson gjuha kineze e pasuar nga arabishtja, rusishtja, islandishtja, gjuha vietnameze, hungarishtja, japonishtja dhe polonishtja.
Ueb-faqja, e cila rangimet kryesisht i bën në bazë të votave të lexuesve, është marrë me pyetjen se sa është e vështirë të mësohet një gjuhë. Përveç këtyre katër gjuhëve – që janë kryesisht gjuhë aziatike – ndër vendet e para në listë renditet edhe arabishtja, e cila, flitet jo vetëm në Lindjen e Afërt, por edhe në vende të Afrikës Veriore.
Njerëzit që mësojnë gjuhën kineze, gjuha amtare e të cilëve nuk është e afërt me kinezishten, hasin në vështirësi të shumta gjatë përvetësimit të kësaj gjuhe. Kinezishtja është njëra prej gjuhëve më të vjetra në botë dhe me numrin më të madh të folësve. Ajo është zhvilluar në disa shkallë gjatë tre mijë vjetëve. Problem më vete është fakti se shkrimi në këtë gjuhë është logo-grafik që do të thotë që një shenjë mund të ketë domethënien e një nocioni a sendi, përderisa me bashkimin e tyre krijohet një konstruksion i përbërë. Me qëllim që të huajve t’u lehtësohet nxënia e kësaj gjuhe, është realizuar procesi i “latinizimit”.
Fakti që në krye të listës rreshtohen gjuhët të cilat nuk kanë shkrim latin, nxjerr përfundimin se hartimi i listës nuk është shumë përfaqësues, pasi ndikohet nga qarqet e civilizimit perëndimor.
Këtë e vërteton edhe fakti që në mesin e 15 gjuhëve më të zorshme zë vend vetëm një gjuhë nga grupi i gjuhëve gjermanike apo romane. Bëhet fjalë për gjuhën islandeze, e cila i përket nëngrupit të gjuhëve skandinave dhe flitet nga 300 mijë njerëz.
Sa i përket Evropës, të huajt kanë vështirësi me rusishten dhe hungarishten, por nuk i konsiderojnë fort të lehta as greqishten e polonishten.





