Studentët e Universitetit të Harvardit në Masaçusets në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tashmë kanë mundësi të zgjedhin të studiojnë Gjuhën Shqipe pasi zyrtarisht ajo është pjesë e kurrikulave të gjuhës.
Lajmi është bërë i ditur nga Harvard Magazine, i cili njofton se Gjuha Shqipe është vendosur në departamentin e gjuhëve dhe qytetërimeve të lindjes së afërt, krah armenishtes, persishtes, turqishtes ndërsa orët e shqipes elementare kanë nisur që këtë semestër.
Fillimisht ky universitet do të ofrojë kurse për nivelin elementar të Gjuhës Shqipe me synimin që më pas të vijojë dhe me nivelin e mesëm dhe të avancuar.
Përpjekjet për futjen e Shqipes në kurrikulat shkollore u zyrtarizuan në vitin 2022, iniciativë kjo nga një grup shqiptarësh të Malit të Zi.
Në Shtetet e Bashkuar të Amerikës, Gjuha Shqipe është bërë pjesë e kurrikulave edhe në Universitetin e Arizonës, Universitetin e Depaul dhe Kolegjin Mercy në New York.