Rëndohet edhe më tej bilanci i viktimave të tërmetit në Itali. Sipas mediave italiane, 132 persona kanë humbur jetën, me tyre shume femije. Ndërsa 368 të tjerë janë plagosur dhe 150 të zhdukur nën rrënoja. Ndërkohë, nga ora në orë bilanci i viktimave rritet.

Zona që u godit nga tërmeti në Itali është shumë pranë Aquilas- që u shkatërrua nga një tërmet i fortë në 2009-ën. Në këtë zonë ka shumë ndërtime historike, monumente kulture, të cilat janë rrënuar.

Tërmet i fuqishëm që ‘gjunjëzoi’ Italinë qendrore, u regjistrua në orët e para të mëngjesit.

Lëkundja e parë, me magnitudë 6 e shkallës Rihter, ndodhi rreth orës 03:36 me epiqendër 2 km larg Accumoli (Rieti). Pas lëkundjes së parë, janë ndjerë edhe dy të tjera, me mangitudë 5,1 dhe 5.4, me epiqendër 5 km larg Norcia-s.

Zona e Amatrice ka pësuar dëmet më të mëdha, ku kryebashkiaku i saj është shprehur se qyteti pothuajse nuk ekziston më.  Nder zonat e prekura rende jane dhe Accumoli e Arquata del Tronto.

Renzi: Numri i viktimave 120. Dhimbje e madhe për Italinë

Kryeministri italian, Matteo Renzi ka konfirmuar se numri i viktimave ka shkuar në 120. Në një konferencë për shtyp, Renzi theksoi se kjo ishte një ngjarje e rëndë për Italinë.

“Ngjarja e sotme ishte një dhimbje e madhe për Italinë. Italia u bashkua në një dhimbje të tmerrshme. Jemi bërë një. Nga tërmeti humbën jetën 120 persona. Mbështesim familjet në këtë moment të vështirë”,tha Renzi.

Nga ana tjetër, Renzi tha se ditën e nesërme do të mblidhet Këshilli i Ministrave për situatën. Ndërkohë, kryeministri pohoi se ekipet e shpëtimit nuk do të pushojnë se punuari për shpëtimin e jetëve njerëzore. Sakaq, ai premtoi rindërtimin e banesave të rrëzuara nga tërmeti dhe se do të bëjë çdo gjë për t’ua lehtësuar dhimbjen familjarëve të viktimave.