SALCBURG, 17 tetor 2013 – Letërsia shqiptare është e pasur në poezi. Kjo vlen jo vetëm për letrarët që jetojnë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, por dhe për autorë shqiptarë në shumë vende të botës, shkruan në numrin e 17 tetorit 2013 Salzburger Nachrichten. Janë përzgjedhur tetë poetë, që banojnë në vise të ndryshme të Austrisë (Vjenë, Vels, Salcburg, Kufshtajn dhe Shladming) për të recituar vjershat e veta këtë pasdite, me moderimin e Edona Ramadanit, në gjuhën gjermane. Leximi i vargjeve do të shoqërohet me muzikë, dhe në fund me një bufe shqiptare. Poetët që do të recitojnë janë Genc Bezhi, Zef Ndrecaj, Teuta Rexhepi, Anton Marku, Besim Xhelili, Edona Ramadani, Ragip Dragusha dhe Dan Kosumi (në foto).
Shoqata austriake-shqiptare “Aleksandër Moisiu” (Albanisch-österreichische Gesellschaft “Alexander Moissi”) është një organizatë e pavarur, jofitimprurëse që promovon bashkëjetesën dhe sfidat e dy kulturave; shqetësim kryesor është integrimi dhe përfshirja e emigrantëve shqiptarë në shoqërinë austriake, element i rëndësishëm këtu është ruajtja e gjuhës dhe kulturës. Krenaria e tyre në Salcburg është aktori Aleksandër Moisiu, i cili ka interpretuar këtu. Moisiu u lind në vitin 1879, bir i një familjeje shqiptare nga Triesteja dhe me banim në qytetin portual shqiptar të Durrësit, shkruan Salzburger Nachrichten.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





