Megjithëse jo fitues, Flamur Gjuzi ka pranuar rezultatin me dinjitet për zgjedhjet e 25 qershorit.

Me anë të një statusi në “Facebook”, Gjuzi iu shpreh mirënjohjen dhe falënderimet të gjithë atyre që e kanë mbështetur dhe që e kanë votuar, megjithëse LSI nuk arrinte dot të siguronte votat e mjaftueshme për të marrë 3 mandate.

“Përshëndetje të nderuar miq. Sot më shumë se kurrë, dua të falënderoj të gjithë ata që më mbështetën, që qëndruan me mua dhe ishin pjesë e fushatës sime, e padiskutim faleminderit atyre që e konsoliduan atë me votë.

Ju jam mirënjohës gjithësecilit prej jush. Ju faleminderit!”, shkruan Gjuzi.

I renditur i treti në listën e LSI-së, pritshmëritë kanë qenë shumë të larta për këtë kandidat i cili organizoi struktura në çdo qelizë në zonën e Rrashbullit. Humbja dhe rënia e lirë me shumë vota brenda në qytetin e Durrësit e të gjitha zonat ku LSI doli forcë e parë në 2015-n, i ka kushtuar mandatin ish-kreut të ALUIZNI-t.

Gjuzi punoi fort në zonën ku u ngarkua dhe fitoi 3 mijë vota në zonën e vështirë të Rrashbullit. LSI arriti të siguronte dy mandate për qarkun e Durrësit, duke nxjerrë fitues Lefter Kokën dhe Nora Malajn.