DURRES, 1 mars 2013 – Gjykata e Durrësit ka dhënë masën e arrestit 30 ditë burg për 32 vjeçarin Gentian Bejtja, i cili akuzohet se ka vjedhur mjetin tip BMW me të cilin u realizua vrasja e komisarit të policisë Dritan Lamaj. Gjyqtarja Shpëtime Pitaku, pasi ka dëgjuar prokurorin e çështjes, Ilir Turja dhe avokatin mbrojtës të të pandehurit, Gramoz Lika, ka vendosur të japë masën e arrestit 30 ditë burg për Bejtjan derisa të administrohen të gjitha provat materiale kundrejt tij dhe të provohet pafajësia apo fajësia e të riut për veprën penale për të cilën akuzohet.

Prokurori Ilir Turja në fjalën e tij para gjykatës është shprehur se autori, ende i paidentifikuar, ka zbritur nga fuoristrada me targa AA 470 CY, pronë e shtetasit Gentian Bejtja dhe më pas vodhi me anë të kërcënimit të armës autoveturën tip BMW në afërsi të rajonit nr 4, pranë drejtorisë së policisë.

32 vjeçari nga Fushë Kruja akuzohet për grabitje në bashkëpunim të automjetit tip BMW me targa DR 1944 F, pronë e 55-vjeçarit  F.Lika, banor i lagjes nr.8 të qytetit të Durrësit. Sipas policisë grabitja e mjetit është bërë para shtëpisë së Likës, në kohën kur ky i fundit e kishte lënë mjetin të ndezur dhe me çelës në kuadër.

Prokurori Turja kërkoi masën e arrestit me burg me afat 45 ditë me qëllim që gjatë kësaj kohe të mundësohet ekspertimi teknik i CD-ve me pamjet filmike, zbardhjen e tabulateve telefonike dhe pyetjen e dëshmitarëve që kanë dijeni për ngjarjen. Ndërkohë avokati mbrojtës e konsideroi ndalimin e klientit të tij të paligjshëm, sepse nuk bazohet në prova. Sipas këtij të fundit 32 vjeçari Gentjan Bejtja ndodhej në Durrës pasi do të kryente një seancë kemioterapie në spital dhe jo për të vjedhur një automjet.

Policia dhe prokuroria dyshojnë se automjeti tip BMW i vjedhur në Durrës është i njëjti që u përdor gjatë vrasjes së komisarit Dritan Lamaj, e që më pas u gjet i djegur në Domje të Tiranës.

Por ndërsa policia fajësor 32 vjeçarin Gentjan Bejtja për grabitjen, familjarët e këtij të fundit deklarojnë se ai nuk ka asnjë lidhje me veprën penale për të cilën akuzohet. 

/m.l. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/