TIRANE – Arkimed Lushaj, reperi i njohur me emrin “Stresi”, duhet të paguajë 400 mijë lekë gjobë për pistoletën pa leje që mbante me vete mbrëmjen e “Hallouinit” në tetor të vitit të kaluar. Është ky dënimi i dhënë nga Gjykata e Tiranës për Stresin, pasi e ka shpallur atë të fajshëm për akuzën e “mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak”. Vendimi i fajësisë ndaj Lushajt, i cili u gjykua në gjendje të lirë, është shpallur më 14 shkurt nga gjyqtari Ibrahim Hoxha.

Fillimisht Gjykata vendosi dënim me 600 mijë lekë për Stresin, por ai përfitoi ulje për shkak të gjykimit të shkurtuar. “Në aplikim të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale, uljen e 1/3 së këtij dënimi dhe dënimin përfundimisht të të pandehurit Arkimed Lusha me 400 mijë lekë gjobë”, thuhej në diapozitivin e vendimit. Në vendim, Gjykata i jepte një vit kohë “Stresit” për ta paguar këtë gjobë. Sipas Gjykatës, ky afat fillon pasi vendimi të marrë formë të prerë. Gjykimi i Stresit në Gjykatën e kryeqytetit zgjati vetëm dy seanca gjyqësore. Në konkluzionet përfundimtare, Prokuroria i kërkoi Gjykatës dënimin e të pandehurit me 2 vjet burg, të cilave duhet t’u ulej një e treta, për shkak të gjykimit të shkurtuar. Ndërkohë, avokati mbrojtës i të pandehurit i kërkoi Gjykatës dënimin e klientit të tij me kohën e paraburgimit.

Stresi u vu nën përgjegjësi penale për mbajtjen e një arme pa leje me vete pak pas mesnatës së 31 tetorit 2012, pasi kishte festuar një nga club-et e kryeqytetit “Hallouinin”. Ai u ndalua nga një patrullë policie, që gjatë një kontrolli gjetën sendin e jashtëligjshëm. Pas arrestimit, Gjykata e Tiranës caktoi ndaj tij masën “arrest me burg”, masë që u lehtësua në “detyrim për paraqitje” nga Apeli tri javë më vonë. “E kam pasur pistoletën me vete ngaqë ishte nata e Hallouinit. Karikatorin e kisha lënë në makinë, për të mos paraqitur asnjë rrezikshmëri për personat që kisha pranë. Nuk e kisha për asnjë qëllim të keq. E mbaja vetëm për t’u mburrur para bashkëmoshatarëve të mi”, është shprehur Stresi në seancat e caktimit të masës së sigurisë.