ELBASAN- Gjykata e Elbasanit vendos masën arrest me burg për Engjo Llucajn, 65-vjecari që ekzekutoi mbrëmjen e 30 janarit djalin dhe nusen e tij, pas sherreve të vazhdueshme që kishin në familje.
Autori ka pranuar krimin para policisë, ndërsa gjatë marrjes në pyetje, ka pohuar se "E vrava djalin, pasi nuk doja nuse të huaj në shtëpi. Nuk e di se si e bëra këtë vrasje. Ju thashë që djali më dhunonte sistematikisht, që nga dita që më solli në shtëpi nusen e tij, dhe më thoshte që kjo do të jetojë me ne. Jam penduar, se kisha vetëm një dritë sysh, ashtu sikundër jam penduar edhe për vajzën e huaj që e vrava. Nuk di çfarë të them më shumë. Kjo ndodhi për një moment, dhe as vetë nuk e di se si e bëra me dorën time një gjë të tillë. Por ju them se djali më dhunonte sistematikisht".
Fqinjë të familjes Llucaj u shprehën se Engjo Llucaj e shante vajzën italiane. "Ai i thoshte të birit se i kishte sjellë një prostitutë nga Italia, ndërkohë që djali e rrihte. Engjo ishte burrë i urtë dhe e kishte denoncuar më parë të birin në polici", thanë fqinjët e familjes Llucaj.
Ndërkaq, trupi i pajetë i 24-vjeçares Giulia Baldassari vijon të jetë në morgun e spitalit të Tiranës.
Sipas kreut të Prokurorisë së Elbasanit, Elvin Gokaj, pas 2 ditësh pritet të dalë dhe raporti përfundimtar i konkluzioneve të mjekësisë ligjore, shoqëruar me ekspertizën dhe autopsinë përkatëse. Vetëm pas nxjerrjes së raportit, trupi i 24-vjeçares do t'u dërgohet të afërmve të saj në Itali, gjë për të cilën po kujdeset posaçërisht ambasada italiane.





