Belgjikë, 14 maj 2014 – Në dhjetor 2013 gangsteri shqiptar Arjan Shabani, 40 vjeç, u rrethua nga policia speciale belge “FAST”. Ai i çoi SMS gruas së vet, Vaçe Ymeri, 34 vjeç, që t’i fshihte paratë kesh, që kishin në banesë. Gruaja i fshehu paratë në një dollap sigurie në qendrën tregtare “Waassland” në qytetin e Dendermonde të zonës flamande të Belgjikës.

Kjo mënyrë fshehje parash u bë burim humori në Belgjikë, sepse dollapët e sigurisë në qendrën tregtare ishin projektuar, që pas 10 orësh mbyllje hapeshin automatikisht. Kur punonjësit e supermerkatit kontrolluan dollapin e hapur gjetën në të 73.000 euro dhe 8.000 franga zvicerane. Kur Vaçja erdhi të hapte dollapin e sigurisë u arrestua nga policia. Në trup i gjetën një çelës kasete sigurie me emrin e saj. Në kasetën e sigurisë policia gjeti 154.000 euro.

Në gjykatë u konstatua, që mbi Arjan Shabanin rëndonte një dënim prej 24 vjetësh burg i dhënë nga një gjykatë italiane si edhe 6 vjet e 8 muaj nga një gjykatë shqiptare. Arjan Shabanit iu kapën 6 pasaporta falso me emra të ndryshëm si edhe 4 leje drejtimi automjeti falso, por me identitete të ndryshme.

Gjykata vendosi sekuestrimin e gjitha parave të kapura çiftit shqiptar. Vaçe Ymeri u dënua me një vit burg. Arjan Shabani u dënua me 3 vjet burg si dhe 3.000 euro gjobë. Pas kryerjes së dënimit, Arjan Shabani do të ekstradohet në Itali për të vuajtur dënimin e dhënë nga gjykata italiane.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/