29 qershor 2015 – Pak javë më parë u shpall i pafajshëm për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj. Por sot, Gjykata e Apelit vendosi masën ekstreme për biznesmenin Arben Frroku. Ai akuzohet për vrasjen me paramendim të Lamajt në shkurt të vitit 2013 dhe sipas gjyqtarëve të Apelit duhet të dënohet përjetë. Vendimi ka qenë komplet i kundërt me atë të marrë në Gjykatën e Shkallës së Parë, po të Krimeve të Rënda në Tiranë.
Sipas vendimit të parë, Frroku dilte i pafajshëm për mungesë provash, një prej të cilave ishte matja e kohës nga vendi i krimit, në zonën pranë shkollës “Vasil Shanto” në Tiranë e deri në Kapshticë, që mendohej të ishte bërë nga biznesmeni pas ekzekutimit. Pas apelimit, në Gjykatën e Apelit, është marrë për bazë dosja e prokurorisë, duke kërkuar burg për Frrokun. Por, Arben Frroku ka më shumë se 1 javë që ndodhet jashtë vendit në një shtet që nuk dihet.
Vëllai i tij, deputeti Mark Frroku ndodhet aktualisht në burg, për një vrasje të ndodhur në Belgjikë në vitin 1999.
Agjencia e lajmeve “Dyrrah”