DURRES, 13 qershor 2013 – Menjeherë pas lirimin nga gjykata e Apelit, e cila rrëzoi masën e sigurisë “Arrest me burg”, 65-vjeçari Skënder Koni, ish-drejtori i Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, me funksion aktual kryetar i PDK-ës dega Durrës, i është rikthyer aktivitetit politik.
Demokristiani i Nard Ndokës, një nga eksponentët kryesor të kësaj partie në qytetin bregdetar, po bën fushatë intesive politike. Madje pak ditë më parë ai është shfaqur në publik përkrah kryetarit të PDK-ës Nard Ndokës, në prezantimin e kandidatëve për deputet në Qarkun e Durrësit.
Ai nuk pranon të japë asnjë koment mbi akuzat e ngritura nga prokuroria, atë të “Korrupsionit Pasiv" si dhe “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që kryejnë funksione publike” në bashkëpunim, por deklaron se është angazhuar fuqishëm në fushatë për zgjedhjet e 23 qershorit.
“ PDK-ja është një parti e madhe politike dhe strukturat tona në Durrës po punojnë fort me qëllim që në parlamentin shqiptar të kemi një përfaqësues demokristikan”, tha Koni.
Gjykata e Apelit në Durrës i ka dhënë pafajësinë Skënder Konit pak ditë më parë me pretendimin se provat e paraqitura nga organi i akuzës janë të pamjaftueshme për ta mbajtur në burg demokristianin, duke rrëzuar masën e sigurisë “Arrest me burg” të dhënë nga Gjykata e Durrësit.
Ish-drejtori i INUK-ut Durrës, u arrestua nga policia më 6 maj, sëbashku me Elsa Zoton, nën akuzën e “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që kryejnë funksione publike” në bashkëpunim, ndërsa vetëm tre ditë më vonë gjykata e Durrësit e la në burg Konin.
Në atë periudhë organi i akuzës pas një hetimi 5 mujor hedhi dyshimet se shtetasit në fjalë në bashkëpunim edhe me persona të tjerë ka kërkuar dhe marrë përfitime të paligjshme për të regjistruar dhe legalizuar prona të disa banorëve të vendosur në një truall me sipërfaqe 3253 m 2.
/e.a. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





