Kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Rroshi, mbetet sërish në "arrest shtëpie" edhe pas apelimit që i bëri vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, ku kërkonte heqjen e kësaj mase sigurie dhe njëkohësisht edhe rikthim në detyrë. Gjykata e Apelit e vlerësoi të drejtë vendimin e gjykatës së Shkallës së Parë, duke e lënë atë në fuqi dhe si pasojë Rroshin në arrest shtëpie.

Në mes të qershorit, në seancën me dyer të mbyllura dhe pa praninë e të akuzuarit Rroshi, gjykata ndryshoi vendimin e “arrestit me burg” që kishte dhënë pak ditë më parë, duke caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest shtëpie”.
Në argumentet e reja që u sollën në gjykatë dhe që ndikuan këtë të fundit për të ndryshuar masën e sigurisë ishte fakti që Rroshi ka dy fëmije të mitur, ka të atin me hemodializë dhe se është i vetmi në familjen e tij që punon.

Ndërsa pretendimet e tjera që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me akuzën e falsifikimit të formularit të vetëdeklarimit në kuadër të ligjit të dekriminalizimit janë tejkaluar tashmë nga gjykata, e cila ishte shprehur më parë për masën e sigurisë e sigurisë.

Sipas Prokurorisë, Roshi ka fshehur dënimet në Zvicër dhe Itali,por këto akuza janë hedhur poshtë dhe cilësuar si  sulm politik nga kreu i bashkisë Kavajë.
Me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, gjykata fillimisht caktoi masën e sigurisë “Arrest në burg” për kryetarin e Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi, i dyshuar për konsumimin e veprës penale “Falsifikimi i vulave, stampave dhe formularëve”, në plotësimin e formularit të “Dekriminalizimit”.

Nga hetimet e deritanishme, ndër të tjera, janë siguruar informacione se shtetasi Elvis Rroshi ka përdorur 5 emra të ndryshëm në disa vende të Europës Por ai nuk i ka deklaruar në formularin e vetëdeklarimit në kuadër të dekriminalizimit.
Emrat që Roshi përdorte ishin: RROSHI Ervin, RROSHI Elvis, HALLULLI Baskim, RROSHI Enver, PROSHI Enver.