4 dhjetor 2015 – Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi masën e paraburgimit prej një muaji ndaj deputetit të Vetëvendosjes, Albin Kurti.
I pandehuri po dyshohet nga ana e prokurorisë, për tri vepra penale: “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare” si dhe “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Mediet kosovare shkruajnë se, sipas vlerësimit të kësaj gjykate, pretendimet ankimore që nuk ekziston dyshimi i bazuar, nuk qëndrojnë, pasi në bazë të provave të cilat i ka prezantuar prokurori, në këtë çështje juridiko-penale, si ekzaminimi i vendit të ngjarjes, fotografitë dhe video-incizimet e marra nga regjia e objektit, ku dyshohet të ketë ndodhur ngjarja, e argumentojnë dyshimin e bazuar, që ka ndodhur një vepër penale, dhe se personi në fjalë ka më shumë gjasë që ta ketë kryer atë, se sa mos ta ketë kryer.
Gjykata e Apelit në Kosovë, thekson se fakti që i pandehuri, brenda një periudhe të shkurtër kohore, dyshohet t’i ketë përsëritur veprat penale, tregon rrezikun se po të gjendej në liri, ai prapë do të vepronte njësoj.
/portali DurresLajm/