Gjykata e Apelit të Durrësit ka kthyer mbrapsh vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të datës 2 shkurt 2021 dhe ka ridërguar për shqyrtim çështjen e “Velierës”.

Apeli vendosi “kthimin e akteve pranë Prokurorisë së Rrethit Durrës për vazhdimin e hetimeve” ndërsa la afat që hetimet të kryhen brenda tre muajve.

Për përfaqësuesit e Shoqërisë Civile kjo ishte një fitore e madhe për lashtësinë dhe historinë e qytetit bregdetar.

“Ishte një fitore shumë e madhe për lashtësinë dhe historinë e qytetit të Durrësit dhe këmbëngulja jonë ishte rezultative. Jemi krenar dhe falenderojmë gjykatën dhe të gjithë ato që na mbështetën. Duke menduar gjithmonë që Durrësi pati universitetin e parë në Ballkanin perëndimor duhet të ketë dhe lashtësinë, arkeologjinë dhe historinë ashtu siç i takon”, tha Teuta Kalakula.

Kujtojmë se pasi Gjykata e Shkallës së Parë vendosi pushimin e çështjes së Velierës, Shoqëria Civile e ankimoi vendimin në Gjykatën e Apelit.