DURRES – Gjykata e Durrësit ka caktuar sot dënimin me 5 vite burg për kunatin e Dritan Dajtit, Erges Xhoxhi. Nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë nga dosja penale që i përket të pandehurit Dritan Dajti është veçuar çështja për të pandehurit Ergest Xhoxhi dhe Maringlen Muçaj, dosje e cila i është përcjellë për kompetencë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës. I pandehuri Ergest Xhoxhi akuzohet për veprat penale të “Përkrahjes së autorit të krimit" dhe "Fallsifikimit të dokumentave" në bashkëpunim, parashikuar nga Nenet 302/1, 186/1 të K.Penal, dhe i pandehuri Maringlen Muçaj akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrën" parashikuar nga neni 248 i K.Penal.
Kjo çështje me kërkesën e të pandehurit Ergest Xhoxhi i cili kërkoi të proçedohet me gjykim të shkurtuar u veçua nga i pandehuri Maringlen Muçaj. Për të pandehurin Ergest Xhoxhi gjykata me vendimin e datës 28.01.2013 ka vendosur dënimin maksimal që parashikojnë dispozitat për të cilat akuzohej.
Për arsyet e lart përmendura Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, bazuar në nenin 390 të Kodit të Proçedurës Penale, vendosi deklarimin fajtor të pandehurit Ergest Xhoxhi, për kryerjen e veprës penale të “Përkrahjes së autorit të krimit”, parashikuar nga neni 302/1 i Kodit Penal e, në bazë të kësaj dispozite, dënimin e tij me 5 (pesë) vjet burgim.
Ergest Xhoxhi deklarohet fajtor për kryerjen e veprës penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, nga neni 186/2 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite, dënimin e tij me 4 (katër) vjet burgim.
Në bashkim të dënimeve, në bazë të nenit 55 të Kodit Penal, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës jep dënimin përfundimisht për të pandehurin Ergest Xhoxhi me 8 (tetë) vjet e 6 (gjashtë) muaj burgim.
Në zbatim të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës jep dënimin përfundimisht për të pandehurin Ergest Xhoxhi me 5 (pesë) vjet e 8 (tetë) muaj burgim.





