Lihet në burg babai i Arbër Çekajt. Gjykata e Durrësit ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për 72-vjeçarin Selim Çekaj, pronar i kompanisë që kishte porositur ngarkesën me banane nga Ekuadori ku u gjetën 49 kg kokainë. Mbi të rëndon akuza e trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Gjatë seancës gjyqësore, Çekaj nuk i ka pranuar akuzat, duke deklaruar përpara trupit gjykues, kryesuar nga gjyqtari Rexhep Bekteshi, se nuk kishte dijeni për sasinë e drogës së gjetur.
Pas vendimit të gjykatës ka reaguar avokati i Selim Çekajt. Neshat Fana e ka quajtur skandaloz vendimin e gjykatës për të lënë në burg klientin e tij. 

Ai tha se Selim Çekaj është një njeri i nderuar me 100 sëmundje që nuk di as gjuhë të huaj dhe as kompjuter dhe në këtë mënyrë sipas tij, nuk mund të lidhej me trafikantët e huaj.
“Si u lidh me trafikantët e Amerikës Latine? Çfarë pagese bëri, me kë kontaktoi, me cilët foli? Ai kontejner ka dy muaj që vërtitet nga Ekuadori në Marok, në Turqi në Greqi e më pas në Shqipëri. Ka dy muaj që vjen vërdallë. U kontrollua magazina nuk u gjet asnjë gjë e paligjshme. Selim Ceku është i pafajshëm, i sëmurë”,- tha pas seancës avokati Fana. 

Sipas tij ky është një skenar i stisur nga mafia ndërkombëtare për t’ia hedhur fajin një kompanie të pambrojtur.
Droga u sekuestrua dje në portin e Durrësit teksa ishte porositur nga kompania e Çekajt që ndodhet në Maminas.

Droga u gjet e fshehur në dy krahët e kontejnerit, e ndarë në pako me nga 1.3 kg secila. Kontejneri mbërriti 2-3 ditë më parë në Durrës, ndërsa kaloi në skaner dhe në kontrollet e qenit antidrogë.