Për herë të parë, në Gjykatën e Durrësit është hapur një zyrë informacioni me ndihmën e USAID-it, projekt i qeverisë amerikane.

Hapja e zyrës për marrëdhënien me publikun por edhe median, është një mundësi e mirë për t'i dhënë përfundimisht fund sorollatjeve të qytetarëve që nuk dinin ku mund të merrnin informacion.

Në zyrë, 5 ditë të javës prej orës 8:00 deri në 16:00, është një punonjëse e cila do t'u japë përgjigje të gjithë atyre qytetarëve të cilët kanë gjyqe apo duan shërbime nga gjykata.

Njëkohësisht vendosja e sistemit elektonik të seancave gjyqësore është një mundësi e mirë për publikun të cilët endeshin nëpër dyert e këtyre institucioneve për të marrë informacion në lidhje me atë çfarë kërkojnë.

Në fund të fundit, kanë një derë ku mund të trokasin e një person përgjegjës për t'u dhënë shpjegim mbi gjithçka çfarë ndodh në gjykatë si qytetarëve ashtu edhe mediave të interesuara.

Kjo nismë duhet të shtrihet edhe në institucione të tjera, sidomos në Prokurori pasi shqetësimet që kanë qytetarët janë të shumta, por nuk ka njerëz kush e kur ti dëgjojë, apo t'u japin një ndihmë kur iu duhet!

K.H.