Gjykata e Durrësit ka dhënë masën e sigurisë “Arrest me burg” për të riun Olsi Sefolli, shoferi i furgonit të postës private që vinte nga Anglia ku u gjetën 12 pako me 123.000 pound. 

21-vjeçari Olsi Sefolli nga Hamallaj u arrestua nga policia kufitare, pasi në furgonin e shoqërisë së transportit ku punonte prej mëse një muaji u gjet e fshehur sasia e konsiderueshme e valutës së huaj. 

Duke qenë se furgoni në fjalë kohët e fundit kishte bërë shumë hyrje-dalje, Policia Kufitare kishte ngritur dyshime dhe kishte vënë në dijeni edhe Policinë e Shtetit.

Menjëherë sapo mjeti ka zbritur nga trageti i linjës Ankona-Durrës, në port e prisnin forca të shumta policie dhe drejtuesit e saj.

Furgoni, brenda të cilit ndodheshin pako të porositura apo dërguar nga persona të ndryshëm mes tyre veshmbathje dhe orendi apo pajisje shtëpiake, u dërgua në skaner dhe rezultoi se në brendësi të ngarkesës ndodheshin një sasi e madhe paundësh të padeklaruara.