Gjykata e Durrësit ka lënë në burg shtetasin Tedi Hoxha, i cili u arrestua dje nga policia e Durrësit për llogari të drejtësisë italiane.
Seanca për dhënien e masës së sigurisë u zhvillua mëngjesin e kësaj të premteje pa praninë e medieve.
Gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës për miratimin e arrestimit të përkohshëm, ndaj shtetasit shqiptar Tedi HOXHA për shkak të urdhrit të arrestit ndërkombëtar të nxjerrë me vendimin penal me nr.15542/2015 RG dt.20.10.2016 të Gjykatës së Hetimeve Paraprake Itali, i akuzuar për veprat penale të "Organizatës Kriminale", "Konspiracionit penal me synim aksesin e paautorizuar në sistemin e Informacionit" dhe "Instalimit të pajisjeve Interceptuese", "Ndalimit ose ndërprerjes së komunikimeve Informatike ose telematike", parashikuar nga nenet 416, 615, 617 të Kodit Penal Italian dhe neni 55 i Dekretit nr.23 1/2007 të Presidentit të Republikës.
Gjykata caktoi masën e sigurimit arrest në burg për Hoxhën, me qëllim ekstradimin konform rregullave ligjore për llogari të Drejtësisë Italiane.





