Gjykata e Durrësit ka dhënë masën e sigurisë “Arrest me burg” për dy shtetasit Algert Atia dhe Adrian Bello.
Dy shtetasit në fjalë, respektivisht 34 dhe 51 vjeç u arrestuan 2 ditë më parë në kuadër të operacionit policor “Fluksi.
Algert Atia ishte shofer i parë dhe Adrian Bello shofer i dytë i autobuzit, ku policia e Durrësit sekuestroi 176 190 euro, 500 dollarë, 50 euro të falsifikuara, një pako me fishekë çifteje dhe një sasi mallrash.
Dy shtetasit e ndaluar tentuan t’i kontrabandonin paratë dhe mallrat e sekuestruara në vendin tonë.
Aksioni policor i zhvilluar në fundjavë ishte faza e 5-të të operacionit të koduar “Fluksi”.
“Në baskëpunim me Policinë Kufitare të portit të Durrës dhe me autoritetet doganore të këtij porti, Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Policinë e Shtetit, kaloi për kontroll të imtësishëm në vijë të dytë, autobusin që vinte me tragetin e linjës Bari-Durrës, i cili dyshohej se transportonte një shumë të madhe parash dhe mallra”,– njoftonte ndër të tjera policia e Durrësit në njoftimin për shtyp të dy ditëve më parë.





