Në kuadër të rritjes së transparencës ndaj publikut dhe medias, informimit të saktë të qytetarëve lidhur me veprimtarinë e gjykatës, zyra për marrëdhënien me publikun dhe median në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës përditëson me informacione faqen zyrtare www.gjykata.gov.al, e cila mirëmbahet në tërësi nga Ministria e Drejtësisë.

Informacionet që publikohen janë të ndryshme, duke filluar nga të dhënat lidhur me organigramën e gjykatës; veprimtarinë e saj; kuadri ligjor; informacioni për shortimin e çështjes, pra gjyqtari pranë së cilit do të gjykohet çështja; kalendari i seancave; numri i aktit, regjistri, palët ndërgjyqëse, data e regjistrimit, numri i vendimit, data e vendimit, si dhe detaje të tjera specifike për çështje gjyqësore qofshin ato civile apo penale etj.

Për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës ka realizuar së fundmi tre video informuese rreth mënyrës së kërkimit të informacionit në faqen zyrtare (gjykata.gov.al)  për çështjet që gjykohen pranë kësaj gjykate (shih videot në fund).

Në sajë të këtyre videove, gjykata synon të orientojë çdo person për të mundësuar marrjen e informacionit në kohë reale lidhur me çështjen e tij gjyqësore, të përfunduar ose në proces, pa qenë nevoja për t'u paraqitur personalisht në ambientet e gjykatës.

Informacioni i publikuar në portal është në përputhje me nenin 7 të ligjit nr. 119/2014 “Për të Drejtën e Informimit”, si dhe programit të transparencës, duke ruajtur dhe respektuar të drejtat e privatësisë së individit.

Për informacione të mëtejshmë vizitoni faqen zyrtare gjykata.gov.al, faqen në Facebook Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, ose kontaktoni në adresën e e-mail-it: [email protected] .

*Video nr.1: “Si të kërkoj informacion rreth çështjes time gjyqësore?”

*Video nr. 2 “Si të njihem me kalendarin e seancave gjyqësore?”

*Video nr. 3 “Si të njihem me listën e shortit?”