Gjykata e Durrësit ka liruar nga salla e gjyqit të dy shijaksit e arrestuar nga policia me qëllim ekstradimin drejt Italisë me akuzat “Vrasje” dhe “Trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike”, për të clët kishte urdhër arresti nga INTERPOL-i.
Gjykata vlerësoi të ligjshëm arrestimin në flagrancë të Arben Plakut dhe të Gëzim Aleksit nga policia e Durrësit, por me t’u njohur me dënimet e kryera në Shqipëri nga dy të arrestuarit vendosi “Arrest shtëpie”.
Prokurori kërkoi arrest shtëpie deri në shqyrtimin e plotë të dosjes hetimore dhe të vuajtjes së dënimit për dy të fortët e Shijakut.
Gëzim Aleksi akuzohet për veprën penale “Vrasje”, pasi dyshohet se ka vrarë një bashkëkombas të tij në vitin 1997.
Gjykata e Brescias në Itali kishte lëshuar urdhrin e arrestit të datës 16 qershor për veprën penale ”Vrasja”, parashikuar nga legjislacioni italian.
41-vjeçari u dënua në Shqipëri me 25 vjet heqje lirie, prej të cilt kreu dënimin sipas kodit penal të Republikës së Shqipërisë.
Arben Plaku konsiderohej si koka e grupit kriminal të trafikimit të lëndëve narkotike në Brescia të Italisë. Ai ishte dënuar me 30 vjet heqje lirie.
Edhe Arben Plaku e ka kryer dënimin në Shqipëri. Edhe motra e tij, Resmie Plaku u lirua nga burgu dhe hetimi i saj do të bëhet në arrest shtëpiak.
K.H.





