Gjykata e Durrësit ka rrëzuar kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë “Arrest me burg” për shtetasin turk Muhammet Yasir Aydogmus, të cilin autoritetet turke e kanë shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi një gjykatë në Stamboll ka caktuar masën “Arrest me burg” për “Pjesëmarrje në organizatë terroriste të armatosur”.
Prokuroria e Durrësit kërkoi caktimin e masës së sigurisë “Arrest me burg” për efekt ekstradimi.
Por gjykatësja Eda Kaja tha se kërkesa për ekstradimin e këtij shtetasi ka motivacion politik, pasi Aydogmus njihet si mbështetës i Gulen, kundërshtarit politik të presidentit turk Erdogan.
Shtetasi turk u ndalua së bashku me gruan dhe dy fëmijët e mitur në datë 8 tetor në portin e Durrësit, ndërsa po tentonte të udhëtonte drejt Italisë me dokumente false.
Gjyqi ndaj shtetasit turk në gjykatën e Durrësit u bë pa praninë e medieve.
K.H.





