DURRES, 22 shkurt 2013 – Gjykata e Durrësit ka dënuar me nga 8 muaj burg dy shoqëruesit e Adem Tahirajt, ish komisarit të Shijakut. Seancën e kaluar prokuroria e Durrësit i kërkoi Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës dënimin me 2.5 vite burg dhe 600 mijë lekë gjobë për dy punonjësit e policisë që shoqëronin komisarin Tahiraj, por trupi gjykues vendosi sot t’i dënojë Kastriot Gosturanin dhe Fatmir Hoxhën vetëm me 8 muaj burg dhe aplikimin e dënimit plotësues të pezullimit nga detyra për një periudhë 3 vjeçare për secilin prej të pandehurve. Dy të pandehurit akuzohen për shpërdorim detyre. Gjykata vendosi t'i dënojë me 1 vit burg, por meqë të pandehurit patën kërkuar gjykim të shkurtuar vendimi përfundimtar ishte 8 muaj burg. 

Ndërkohë, nga të pandehurit, vetëm shoferi i Tahirajt, Fatmir Hoxha do ta kalojë pjesën e mbetur të dënimit në burg, pasi oficeri Kastriot Gosturani u la në arrest shtëpie. Dy të pandehurit e kundërshtuan vendimin e dhënë nga gjyqtarja Anita Mici dhe deklaruan se do ta apelojnë atë. 

Në 13 shtator të vitit 2012 në Katund Sukth u vra shefi i komisariatit të Shijakut 50 vjeçari Adem Tahiraj, nga Ilir Xhakja. Oficeri i krimeve dhe shoferi i tij, akuzohen se në momentin e krimit nuk kanë neutralizuar agresorin dhe si pasojë nuk kanë parandaluar vrasjen. Ndërkohë në Gjykatën e Krimeve të Rënda ka nisur procesi gjyqësor ndaj autorit të vrasjes së Tahirajt, Ilir Xhakjes.