Gjykata e Durrësit ka rrëzuar ankimimin e bërë nga prokurori i Elbasanit, Dritan Gina, kundër kryeprokurores Arta Marku, me subjekt “kundërshtim vendimi për mosfillim procedimi” në lidhje me shkarkimin e tij si drejtues i prokurorisë së Rrethit Elbasan.
Shkarkimi i tij nga detyra u bë nga prokurorja e përgjithshme e përkohshme Arta Marku, menjëherë sapo mori drejtimin e dikasterit të akuzës. Fill pas kësaj ai iu drejtua gjykatës, duke e akuzuar Markun për “shpërdorim detyre”
Çështja me subjekt “kundërshtim vendimi per mosfillim procedimi” u ndoq nga gjyqtarja Joana Qeleshi.
Dritan Gina, i pranishëm në seancë paraqiti ankimin e tij për këtë çështje. Gina tha se prokuroria e Durrësit nuk ishte kompetente për të kryer këtë hetim lidhur me materialin kallëzues që ka paraqitur, pasi më herët ka punuar këtu, ndërsa më pas në Tiranë, nga ku u transferua në Elbasan si prokuror rrethi.





