Gjykata e Durrësit ka shpallur të pafajshëm 4 ish-zyrtarët e administratës lokale të akuzuar për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh lidhur me pasojat e tërmetit të 26 nëntorit 2019, në objektet që u shkatërruan duke sjellë dhe pasoja në njerëz.
Gjykata ka lënë të lirë ish-kreun e ALUIZNI-t Flamur Gjuzin, ish-drejtorin e IMT-së Artur Çelën, Artur Terziun dhe Nevjana Isufin.
Dënim me kusht është dhënë për Albrend Qetka, Skerdi Bello dhe Aldo Dakovelli.
VENDIMI
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës vendosi:
- Deklarimin e pafajshëm të të pandehurës N.I, për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumentave”, parashikuar nga neni 186/1 të Kodit Penal.
- Në aplikim të neneve 261 dhe 389 të K.Pr.Penale, duke qenë se e pandehura u deklarua i pafajshëm, konstatohet shuarja e masës së sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” caktuar ndaj të pandehurës N.I me Vendimin nr. 348, datë 30.12.2019 të Gjykatës së Apelit Durrës.
- Deklarimin fajtor të të pandehurit A.D për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 1 (një) vit e 6 (gjashtë) muaj burgim.
- Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit A.D i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 1 (një) vit burgim.
- Në zbatim të nenit 59 të Kodit Penal urdhërohet pezullimi i dënimit me burgim, duke e vënë në provë të pandehurin A.D për një periudhë kohe prej 2 (dy) vitesh, me kusht që gjatë kësaj kohe i pandehuri të mos kryejë vepër tjetër penale. Gjatë kësaj kohe i pandehuri detyrohet të mbajë kontakte me Degën Territoriale të Shërbimit të Provës që mbulon vendbanimin e tij nga e nesërmja e shpalljes së këtij vendimi.
- Në aplikim të neneve 261 dhe 389 të K.Pr.Penale, duke qenë se dënimi me burgim u pezullua me kusht, konstatohet shuarja e masës së sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” caktuar ndaj të pandehurit A.D me Vendimin nr.10-2020-666, datë 28.05.2020 të Gjykatës së Apelit Durrës.
- Në zbatim të nenit 35 të Kodit Penal, të pandehurit A.D i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një kohë prej 5 (pesë) vitesh.
- Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit A.T, për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumentave”, parashikuar nga neni 186/1 të Kodit Penal.
- Në aplikim të neneve 261 dhe 389 të K.Pr.Penale, duke qenë se i pandehuri u deklarua i pafajshëm, konstatohet shuarja e masës së sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” caktuar ndaj të pandehurit A.T me Vendimin nr.393/19, datë 28.07.2020 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës.
- Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit A.Ç, për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 të Kodit Penal.
- Në aplikim të neneve 261 dhe 389 të K.Pr.Penale, duke qenë se i pandehuri u deklarua i pafajshëm, konstatohet shuarja e masës së sigurimit “Arresti në burg” në mungesë, caktuar ndaj të pandehurit A.Ç me Vendimin nr. 393/11, datë 19.02.2020 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës.
- Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit F.Gj, për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 të Kodit Penal.
- Në aplikim të neneve 261 dhe 389 të K.Pr.Penale, duke qenë se i pandehuri u deklarua i pafajshëm, konstatohet shuarja e masës së sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” caktuar ndaj të pandehurit F.Gj me Vendimin nr.103, datë 13.04.2020 të Gjykatës së Apelit Durrës.
- Deklarimin fajtor të të pandehurit S.B për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 1 (një) vit e 6 (gjashtë) muaj burgim.
- Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit S.B i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 1 (një) vit burgim.
- Në zbatim të nenit 59 të Kodit Penal urdhërohet pezullimi i dënimit me burgim, duke e vënë në provë të pandehurin S.B për një periudhë kohe prej 2 (dy) vitesh, me kusht që gjatë kësaj kohe i pandehuri të mos kryejë vepër tjetër penale. Gjatë kësaj kohe i pandehuri detyrohet të mbajë kontakte me Degën Territoriale të Shërbimit të Provës që mbulon vendbanimin e tij nga e nesërmja e shpalljes së këtij vendimi.
- Në aplikim të neneve 261 dhe 389 të K.Pr.Penale, duke qenë se dënimi me burgim u pezullua me kusht, konstatohet shuarja e masës së sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” caktuar ndaj të pandehurit S.B me Vendimin nr.393/23, datë 29.08.2020 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës.
- Në zbatim të nenit 35 të Kodit Penal, të pandehurit S.B i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një kohë prej 5 (pesë) vitesh.
- Deklarimin fajtor të të pandehurit A.Q për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.
- Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit A.Q i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 8 (tetë) muaj burgim.
- Në zbatim të nenit 63 të Kodit Penal urdhërohet pezullimi i dënimit me burgim, duke e detyruar të pandehurin A.Q të kryejë 180 (njëqind e tetëdhjetë) orë punë në interes publik, për një periudhë kohe prej 6 (gjashtë) muajsh. Gjatë kësaj kohe i pandehuri detyrohet të mbajë kontakte me shërbimin e provës, për t’i caktuar llojin e punës që i pandehuri do të kryejë, vendin e kryerjes së punës dhe ditët e javës kur do të kryhet puna në interes publik.
- Në zbatim të nenit 35 të Kodit Penal, të pandehurit A.Q i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një kohë prej 5 (pesë) vitesh.
- Shpenzimet proceduriale të parapaguara nga shteti, si dhe shpenzimet gjyqësore i ngarkohen të i’u ngarkohen të pandehurve A.D, S.B dhe A.Q në mënyrë solidare.
- Urdhërohet Organi i Prokurorisë për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi sipas nenit 462 e vijues të K.Pr.Penale.
- Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit Durrës, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.





