Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë tha sot se megjithse Gjermania është pjesë e disa traktateve ndërkombëtare për kufizimin e armëve dhe kryen disa eksporte të tilla drejt Izraelit, “rrethanat aktuale nuk kërkojnë ndërhyrjen e gjykatës”.

Në vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare shprehej shqetësim për “kushtet katastrofike të jetesës në Gaza” por nuk u dhanë masa emergjente për të ndaluar Gjermaninë të eksportojë armatime drejt Izraelit, i cili po kryen fushatën ushtarake e të bombardimeve në Gaza.

Ankimimet gjyqësore të nisura nga Afrika e Jugut kundër fushatës izraelite ndaj palestinezëve në Gaza, u pasuan nga kete muaj nga Nikaragua, e cila kërkoi specifikisht ndalimin e eksporteve të armatimeve të Gjermanisë te Izraeli, me argumentimin se po shkaktojnë krime kundër njerëzimit, por kreu i Gjykatës, Nawaf Salam mendonte ndryshe.

“Me raport 15 me një, gjykata vendosi se aktualisht nuk ka kushte për të aktivizuar nenin 41 të statutit për masat e përkohshme,” tha ai.

Salam shtoi se Gjykata mbetet e shqetësuar për gjendjen humantare në Gaza, për numrin e lartë të vdekjeve e plagosjeve, shkatërrimin masiv të shtëpive dhe largimin e detyruar të shumicës së popullsisë së territoreve, shkruan rrjeti turk TRT.

Nicaragua ngriti padinë duke akuzuar Berlinin se po ndihmon në gjenocidin kundër palestinezëve në Gaza, duke dhënë mbështetje ushtarake e politike për Izraelin.

Gjermania kishte refuzuar pretendimet e Nikaraguas duke argumentuar se eksportet e saj drejt Izraelit ishin “korrekte dhe të analizuara në detaje”.

Izraeli ka nisur një ofensivë masive ushtarake në Gaza qe prej 7 tetorit 2023, kur një sulm ndër-kufitar nga Hamas vrau më shumë se 1000 izraelitë.

Prej atëherë në sulmet ajrore ndaj zonave civile në Gaza janë vrarë më shumë se 34,500 palestinezë, shumica gra e fëmijë, ndërsa mijëra të tjerë mbeten mes shkatërrimit dhe mungesës së mjeteve bazë të jetesës.