DURRËS, 3 Shkurt 2014 –Anëtari i Akademisë Evropiane të Arteve dhe biznesmeni Ardian Tragaj është dënuar me 35 vite burg nga gjykata e Kavajës, pasi akuzohet për vrasje të dyfishtë, ndërsa kushëriri i tij Leonard Tragaj me 2 vite burg. Ngjarja ndodhi më 25 korrik 2012 në Golem të Durrësit, ku humbën jetën Sulejman Shehu nga Kukësi dhe Durim Pashalliu nga Kavaja, ndërsa plumbat nuk kursyen edhe djalin dhe gruan e Shehut, të cilët mbetën të plagosur. Masakra me armë ndodhi në afërsi të një resorti turistik në bregdetin e Malit të Robit. Sipas policisë, sherri i nisur mes pjesëtarëve të familjes Tragaj dhe Shehu, pretenduese të sipërfaqes së tokës që shtrihej para resorit të Ardian Tragajt, degradoi në përdorimin e armëve të zjarrit. Tragaj u vetëdorëzua në polici. Në pranga ra edhe djali i viktimës Sulejman Shehu, i cili u kap me armë pa leje në makinën e tij. Më 4 Shkurt 2014 “Dyrrah”-u do të botojë të plotë apologjinë e Tragajt në gjyq.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/