SPAK kërkoi rigjykimin e ish-Ministrit të Mbrojtjes, të cilin e akuzon si një nga ish zyrtarët përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit, me 26 të vrarë dhe qindra të plagosur me argumentin se ai nuk ma imunitet dhe mund të përballet me drejtësinë.
Ndërkohë nga ana tjetër në vendimin e zbardhur nga Gjykata e Lartë e firmosur nga gjyqtarët Ilir Panda, Albana Boksi e Klodian Kurushi, theksohet se me ndryshimet ligjore të bëra me reformën në drejtësi çështja në ngarkim të ish-zyrtarit të lartë Fatmir Mediu duhet t’i kalojë Gjykatës së Posaçme Anti-Korrupsion.
Në vendimin e firmosur, ajo që bie në sy është kritika ndaj institucionit të prokurorisë.
“Kolegji vëren se që prej momentit që ka rënë pengesa për ushtrimin e ndjekjes penale ndaj subjektit Fatmir Mediu, prokuroria nuk ka pasur ndonjë pengesë që të ushtronte funksionin e saj si përfaqësues i akuzës, konform ligjit, situatë procedurale kjo e transferuar si kompetencë te Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, thuhet në vendim.





