Gjykata e Lartë pritet të shqyrtojë sot kërkesën e ish-deputetit demokrat Ervin Salianji për pezullimin e vendimit të Gjykatës së Apelit për dënimin me burg.

Në seancën e kaluar më 9 tetor, mbrojtja e Salianjit u tërhoq nga kërkesa për shtyrjen e vendimit të ekzekutimit të dënimit me burg, pasi objekti i kërkesës nuk qëndronte më me dorëzimin e ish-deputetit.

Avokati i Salianjit, Ledio Braho, duke folur për mediat pas përfundimit të seancës së 9 tetorit tregoi edhe detaje në lidhje me mënyrën se si ish-deputeti i PD po përballon burgimin.

“Salianji është i qetë. Zgjodhi vetë të dorëzohej. Të gjithëve kur u kufizohet liria, kanë problematikat e veta, por duke qenë se po vuan një dënim politik ai do të çojë deri në fund. Nga Gjykata e Lartë pretendojmë pezullimin e vendimit të Apelit”, u shpreh ai.

“Presim vendimmarrje nga Gjykata e Lartë që do të gjykohet më 15 tetor. Mjeti procedural aty është i arsyeshëm për t’i gjykuar dhe presim një vendimmarrje nga Gjykata e Lartë, presim pezullimin. Salianji ka bërë një denoncim publik. Vendimi i Gjykatës së Apelit ende nuk është zbardhur, nuk i dimë arsyet pse u la në fuqi vendimi i shkallës së parë. KQZ nuk e ka hequr mandatin e deputetit Salianji, presim vendimmarrjen e Gjykatës së Lartë”, tha avokati i tij.